Plagoset një ushtar amerikan në Itali, ishte i shoqëruar nga një 37-vjeçare shqiptare

Prishtinë | 06 Jan 2026 | 18:47 | Nga Ekonomia Online

Një ushtar amerikan me bazë në Aviano po shërohet pasi u godit me thikë jashtë një klubi nate javën e kaluar në qytetin e afërt të Coneglianos.

Ushtari, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur dhe që nga disa media italiane përshkruhet si një burrë 28-vjeçar, u trajtua për lëndimet në një spital lokal dhe po shërohet në shtëpi, tha zëdhënësja e Brigadës Ajrore 173, kapitenja Jennifer French, ka raportuar “Stars and Stripes”, transmeton Klankosova.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë po bashkëpunojnë me hetuesit italianë, tha French, duke shtuar se ushtari ishte jashtë detyrës në momentin e incidentit. Ajo refuzoi të japë më shumë detaje, duke u thirrur në hetimin në vazhdim.

Raportimet e mediave italiane thanë se ngjarja ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të 28 dhjetorit, jashtë një klubi privat.

Sipas raportimeve, ushtari dhe një grua shqiptare 37-vjeçare që ishte me të u përballën me një grup personash që e njihnin gruan. Pasoi një përleshje dhe si ushtari amerikan ashtu edhe gruaja u plagosën.

Fillimisht u mendua se ushtari ishte në gjendje kritike dhe u dërgua me urgjencë në spital për trajtim, pasi fqinjët u njoftuan nga thirrjet për ndihmë të gruas, sipas raportimeve.

Policia identifikoi një të dyshuar duke shqyrtuar pamjet e kamerave, përmes një targë automjeti, sipas një raportimi të Virgilio.it më 29 dhjetor.

Në atë kohë, i dyshuari ishte ende në arrati. Conegliano është një qytet me rreth 35 mijë banorë, rreth 30km në jugperëndim të Avianos, ku jetojnë disa amerikanë të stacionuar atje. 

Të ngjashme