Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala, ka njoftuar se në pranga janë vënë tre persona të dyshuar për tentim-grabitjen në një argjendari në Prizren dhe plagosjen e dy personave.
Sipas tij, njëri nga të dyshuarit është arrestuar mbrëmë ndërsa dy të tjerë janë arrestuar gjatë së enjtes.
Për të njëjtit është parashtruar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente.
“Policia nga ajo natë kanë siguruar provat materiale nga vendi i ngjarjes dhe ka bërë të gjitha përpjeket maksimale për të bërë identifikimin e të dyshuarve gjatë sigurimit të provave është bërë identifikimi i të dyshuarve”.
“Janë arrestuar tret të dyshuar, dy janë arrestuar gjatë bastisjes me urdhër të gjykatës, njëri është arrestuar mbrëmë. Për momentin parashtresë për caktimin e masës së paraburgimit”, tha Shala.
Në konferencë u bë e ditur se në natën kur ka ndodhur tentim-grabitja në Prizren, policia ka ndjekur të dyshuarit dhe pa pasur shkëmbim zjarri.
“Gjatë ballafaqimit me grabitësit ka pas edhe shkrepje me armë, por të njëjtit që kanë qenë të armatosur kanë arritur të largohen në drejtim të autostradës”, ka thënë ndër të tjera kryeprokuori.
Drejtori i Policisë Rajonale në Prizren Faton Alia tha se e kaluara e tyre lidhet me grabitje dhe përdorimin e armëve.
“Tre të dyshuarit janë nga rajoni i Prishtinës, të cilët në bazën e të dhënave kanë të kaluar kriminale madje edhe në fushën e grabitjes, përdorimit të armëve. Kanë qenë në burg, janë me precentent kriminale dhe tani po i zbardhim edhe motivet e tyre për këtë rast”.