Kreu i Partisë Demokratike e ka cilësuar si akt burracak dhe atentat ndaj demokracisë ngjarjen e sotme në Kavajë ku mbeti i plagosur mbështetësi i PD, Bledar Okshtuni.
Para qindra simpatizantëve Basha kërkoi që përgjigjen t’ua japin të dielën me votë.
“E dinë se shqiptarë janë të vendosur që t’i largojnë. E bashkuar dhe e vendosur më shumë se kurrë PD, Kavaja, Aleanca për Ndryshim. Le t’ja japim përgjigjen këtij akti burracak, këtij atentati ndaj demokracisë të gjithë masivisht të dielën në kutitë e votimit. Ti japim fund njëherë e mirë këtij tetë-vjeçari makth për shqiptarët dhe të kthejmë Kavajën e demokracisë. Të gjithë sëbashku asnjë hap prapa le të vazhdojmë marshimin tonë ditë për ditë , krah për krah ku Kavaja dhe Shqipëria do ti japë përgjigjen e merituar këtij atentati të shëmtuar,” tha Basha.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e sotme, ku Ndriçim Jonuzi plagosi me armë mbështetësin e PD Bledar Okshtuni. Policia bëri me dije se si pasojë e një konflikti për motive të dobëta mes tyre, Jonuzi ka hyrë në ambientet e brendshme të zyrës elektorale dhe ka plagosur me pistoletë në këmbë 27-vjeçarin. Ky i fundit është dërguar në spitalin e Durrësit, ndërsa autori është shpallur në kërkim.
Autorë të ngjarjes janë gjithashtu edhe Markel Shtylla drejtori i Policisë Bashkiake dhe Dorian Troplini, pasi janë të përfshirë.