Dy persona kanë mbetur të plagosur në një incident me armë zjarri, në afërsi të Xhamisë së Madhe, rrugë që të çon në Gërmi, në kryeqytet. Viktimat janë dërguar në Emergjencë për ndihmë mjekësore.
Incidenti ka ndodhur rreth orës 17:00, në rrugën “Ibrahim Baftiu” të Prishtinë, ka konfirmuar për Ekonomia Online Flora Ahmeti zyrtare për informim në Policinë Rajonale të Prishtinës.
“Rreth orës 17:00 kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën ‘Ibrahim Lutfiu’ në Prishtinë. Me të dalë në vend të ngjarjes, policia ka konstatuar se bëhet fjalë për plagosje me armë zjarri. Dy persona kanë mbetur të plagosur”, tha Ahmeti.
“Personat e plagosur janë dërguar për tretman mjekësor ndërkohë që njësitet policore janë duke punuar në identifikimin dhe arrestimin e personave te dyshuar”.
Policia dhe krim-teknika ka dalë në vendin e ngjarjes për sqarimin e rrethanave të rastit. Për pak kohë, rruga për në Gërmi ka qenë e mbyllur për qarkullim.
Fotot: © Ekonomia Online