Plani i Arsenalit për këtë verë: Shitja e Mustafit

Prishtinë | 22 Maj 2019 | 09:44 | Nga Ekonomia Online

Katërshja e mbrojtjes së Arsenalit mund të pësojë ndryshime të mëdha gjatë afatit kalimtar të verës, pasi që trajneri Unai Emery dëshiron ta përforcojë këtë repart, që në sezonin e tij të parë i pranoi 51 gola në Premierligë.

Trajneri spanjoll është i gatshëm ta shesë Shkodran Mustafin, pasi qendërmbrojtësi që e përfaqëson Gjermaninë i ka bërë disa gabime të mëdha këtë sezon, raporton Goal.com.

Mustafit i kanë mbetur edhe dy vjet në kontratën e tij dhe Arsenali e sheh këtë verë si kohën e përsosur për të përfituar edhe financiarisht nga ai, i cili nuk e ka dëshmuar vlerën e tij në Emirates përkundër çmimit të tij të lartë, 35 milionë funte.

“Topçinjtë” janë të vetëdijshëm se ata nuk do të arrijnë ta gjejnë ndonjë klub që është i gatshëm të shpenzojë po aq shumë para për fituesin e Kupës së Botës, mirëpo edhe një ofertë rreth 20 milionë funte do t’i bindë londinezët.

Për Mustafin kanë shprehur interesim disa klube nga Italia, mirëpo asnjëri prej tyre nuk besohet se do të mund t’i përballojë kërkesat e futbollistit për pagë. Kjo mund të bëjë që Arsenali ta ketë edhe më të vështirë ta largojë Mustafin.

Por, transferimi i Mustafit shihet si shumë i rëndësishëm, pasi që Emery dëshiron ta shtojë edhe një tjetër qendërmbrojtës në skuadrën e tij. Njëri ndër lojtarët më të përfolur për zëvendësimin e Mustafit është Willian Saliba i Saint-Etienne.

Arsenali e ka vëzhguar 18-vjeçare në mënyrë intensive gjatë sezonit dhe skautë të klubit ishin në tribuna edhe mbrëmjen e së shtunës për ta shikuar atë të luajë plot 90 minuta në fitoren 3:0 kundër Nice.

Saliba i përshtatet plotësisht profilit të lojtarit që Emery dëshiron ta ketë në skuadër për sezonin e ardhshëm dhe Saint-Etienne është i vetëdijshëm për këtë gjë. Klubi francez dëshiron ta mbajë mbrojtësin në skuadër, por do të pranojnë ta shesin nëse Arsenali i ofron 25 milionë funte.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme