Një atentat ndaj kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe tre deputetëve të tjerë, Armend Zemaj, Avdullah Hoti dhe Arben Gashi ishte planifikuar në Kosovë. Lajmi u konfirmua edhe nga Policia e Kosovës, për çka pastaj folën edhe të targetuarit e partisë. Lënda e tyre tashmë gjendet në Drejtorinë e Krimeve të Rënda.
Policia e Kosovës ka thënë se autoritetet veçse kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm.
“Policia e Kosovës, në këtë rast drejtoria kompetente e PK-së, ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin/kanosjen në fjalë. Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë’’.
Periskopi nga burimet e veta brenda njësitit Anti-terror ka mësuar se rasti i planifikuar ndaj zyrtarëve të LDK’së tashmë ka shkuar në Drejtorinë e Krimeve të Rënda për hetim.
Është BND-ja gjermane që ka rënë në gjurmë të atentatorëve të cilët po planifikonin një atentat direkt ndaj kryetarit të LDK-së dhe deputetëve të kësaj partie.
Këtë fakt e ka konfirmuar edhe nënkryetari i LDK-së Kujtim Shala, ndonëse pa ia përmendur emrin publikisht.
“Mund të konfirmojë se ka pasur një lloj planifikimi në Kosovë dhe disa vende të BE-së dhe jashtë territorit të Evropës. Individët kanë rënë pre e përgjimeve të një vendi të BE-së. Nga ajo që na është thënë ka pasur një plan të strukturuar për atentat ndaj Abdixhikut dhe tre deputetëve të LDK’së”, tha ai për rtvdukagjinin.
Abdixhiku e konfirmon tentimin për atentat: Nuk ndihem i rrezikuar, organet e rendit po merren me rastin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se nuk ndihet i rrezikuar.
“Nuk ndihemi absolutisht të rrezikuar, Policia e Kosovës dhe organet e tjera të rendit tashmë janë duke u marrë me këtë. Unë sot në Kuvend kam ardhur si zakonisht pa pasur nevojë për mbrojtje të afërt” , ka thënë Abdixhiku duke mos dhënë detaje më të hollësishme.
Armend Zemaj : Me ditë që janë të VV-së, i shkoj te dera Albin Kurtit
Sipas tij, në listë kanë qenë Abdixhiku, Avdullah Hoti, Arben Gashi dhe vetë Zemaj.
“Kështu na është konfirmuar edhe neve, këto janë informacionet që i kemi deri më tani. Për të tjerat, është Policia e Kosovës dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë që janë në kontakt me kryetarin e LDK-së”.
“Gjithçka ka qenë në koordinim me PK-në. Në 24 orët e fundit ka dalë kjo informatë, dhe është bërë publike tani”, tha Zemaj.