Kthimi në fushën e lojës për ta vazhduar, me format më ndryshe, sezonin 2019/20 të NBA-së në fund të korrikut do të bënte që ndeshja e shtatë e finaleve të NBA-së të zhvillohet në mes të tetorit.
Sezoni aktual i NBA-së ka qenë i pezulluar që nga muaji marsi për shkak të përhapjes së virusit Covid-19.
ESPN raporton se 12 tetori mund të jetë data e ndeshjes së fundit të këtij sezoni në NBA, përderisa propozimi për formatin dhe kalendarin e ligës pritet të votohet të enjten në bordin drejtues të ligës.
Zakonisht, kampioni i NBA-së vendoset në mes të muajit qershor, mirëpo tashmë sezoni ka ngecur ende me ndeshjeve të mbetura pezull nga sezoni i rregullt, pa hyrë fare në fazën play-offs.
NBA dhe Shoqata e Basketbollistëve në SHBA janë duke diskutuar ende për formatin me të cilin duhet të vazhdojë liga këtë sezon. Komisionari Adam Silver ka propozuar që të bëhet një model i ri me 22 ekipe pjesëmarrëse.
Ndërsa, muajin e kaluar, NBA bëri të ditur se është në bisedime me kompaninë Walt Disney për t’i zhvilluar të gjitha ndeshjet dhe stërvitjet e mbetura në palestrën e Disney World në Florida, ku edhe të gjithë lojtarët dhe stafi do të strehoheshin në të njëjtin hotel.