Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit kanë lansuar Platformën Online për fondet publike të ndara për Organizatat e Shoqërisë Civile (OShC), raporton Ekonomia Online.
Platforma është zhvilluar me përkrahjen nga projekti që mbështetet me fondet të BE-së, “Mbështetje për zbatimin e Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile”.
Zv.kryeministri Haki Abazi shpreson që ky dokument të mos mbetet vetëm në sirtar dhe sipas tij, për ta bërë të gjallë këtë platformë duhet puna e të gjithëve.
“Unë dua që takimi i sotëm të jetë i frytshëm dhe informativ. Ne nuk do të mund ta bëjmë vetëm sepse është një mal i çështjeve. Kjo platformë shpresoj që nuk ka qenë një dokument që vendoset në një sirtar dhe për të arritur për ta bërë të gjallë platformën na duhet të punojmë të gjithë së bashku”.
“Ne kemi ligjet më të mira që i kanë vendet në rajon por jemi vend jashtë strategjisë të Bashkimit Evropian dhe kemi pa fund keqpërdorim të parasë publike. Në funksionim më të fortë të ligjit kemi me arrit me zvogëluar papërgjegjësinë institucionale”, tha Abazi.
Abit Hajredini Shef i Zyrës për Qeverisje të Mirë, tha se strategjia ndërmjet Qeverisë dhe shoqërisë objektiv kryesore ka transparencën.
“Strategjia për bashkëpunim mes Qeverisë dhe shoqërisë civile e kam objektiv kryesor çështjen e transparencës dhe për këtë qeveria ka miratuar një rregullore që ka vendos kritere se si të financohen organizatat joqeveritare në Kosovë. Shpresojmë që kjo platformë do t’i ndihmojë procesit të hapur për financimin e organizatave joqeveritare nga ana e institucionit”.
Riccardo Serri, zëvendës shef i zyrës së BE-së në Kosovë tha se kjo platformë është si rezultat i bashkëpunimit të mirëfilltë ndërmjet shoqërisë civile, Qeveria dhe Bashkimit Evropian.
“Kjo platformë është rezultat i mirëfilltë ndërmjet shoqërisë civile, qeverisë dhe bashkimit evropian. Platforma siç u tha është kryesisht për të siguruar transparencë të financimit publik dhe shpresojmë që ky projekt do të kontribuojë në këtë drejtim”.
“Përmes kësaj platforme taksapaguesit do të kenë qasje të drejtpërdrejtë se si po shpenzohen paratë e tyre. OJQ-të janë në Kosovë janë për të luajtur një rol vendimtar. Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe shoqëria civile është e rëndësishme. Është e rëndësishme për Qeverinë që të fuqizohet bashkëpunimi ndërmjet qeverisë dhe shoqërisë civile”.
Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e platformës “Civikos”, tha se në shumë raste rregullorja për financimin e OJQ-ve nuk është implemetuar, raporton EO.
“Kjo rregullore është shumë e mirë sepse ka unifikuar grantet për shoqërinë civile në Kosovë. Kategorizimi i kësaj ka qenë një nga hapat kryesor që do të bëhet. Nëse marrim nivelin e ministrive janë bërë shumë investime për të implimentuar një rregullore. Ka shumë raste që kjo rregullore për financimin e OJQ nuk është përdorur si duhet”.
Platforma online shërben si një pikë e vetme e qasjes për të dhënat lidhur me projektet dhe programet e OShC-ve që marrin fonde nga buxhetet e institucioneve qendrore dhe buxhetet komunale.
Platforma do tu mundësojë qytetarëve dhe medieve monitorimin e shpenzimeve nga fondet publike për OShC-të dhe të kontribuojnë në respektimin e parimeve themelore të menaxhimit të shëndoshë financiar në të gjitha institucionet buxhetore, parandalimin e konfliktit të interesit, luftën kundër korrupsionit dhe reforma më efektive në administratën publike.