Po shfaqen gjithnjë e më shumë gadgete dhe pajisje të cilat në vete e kanë të integruar asistentin digjital në ndonjë formë.
Madje edhe TV-të tona të mençura dhe pajisjet shtëpiake vijnë me këtë lloj mbështetje, kështu që nuk është për t’u habitur që Sony po mendon ta implementojë asistentin e vet digjital në konzolën PlayStation, raporton Ubergizmo.
Kjo aludohet nga patenta e zbuluar kohët e fundit, në të cilën asistenti digjital i përmendur quhet “PlayStation Assist”, shkruan KOHA Ditore. Meqenëse është destinuar për konzolë gaming, atëherë nuk do të bëhet fjalë për një asistent që është i ngjashëm me modelet normale digjitale të cilat ju njoftojnë për motin dhe i caktojnë datat në adresar dhe agjendë.
Në vend të kësaj, zgjidhja e Sonyt do t’i ndihmojë gamerët derisa ata luajnë lojëra. Në përshkrimin për aplikim për patentë thuhet: “Për shembull, kur një lojtar ngecë/ndalet në një pjesë të aplikacionit për gaming, ai/ajo mund të kërkojnë ndihmë nga serveri back-end për asistenca. Kërkesa mund të jetë në çdo format, kombinim formatesh, duke përfshirë tingullin, tekstin, videon, etj. Serveri për asistencë në lojëra është i konfiguruar ashtu që t’i përgjigjet pyetjeve bazuar në përmbajtjen aktuale të lojës nga e cila ka ardhur kërkesa për ndihmë.”
Natyrisht, kjo zgjidhje është ende në formën e patentës dhe nuk ka asnjë garanci se ajo do të zbatohet në realitet. Nëse kjo ndodh, kjo do të mund t’ia mundësojë konzolës PlayStation që të dallohet nga konkurrenca.