Në një vijë bregdetare prej rreth 4 km, plazhi i Spillesë është transformuar këtë vit nga një hapësirë me ndërtime kaotike në një plazh të sistemuar mirë, që nga infrastruktura e deri tek shërbimet që ofron për pushuesit.
Në stacionet e plazhit, çadrat ruajnë distancën nga njëra-tjetra e po ashtu edhe baret apo lokalet.
Në shëtitoren që përshkon vijën bregdetare, vajza dhe djem, të punësuar sezonalë të Bashkisë së Rrogozhinës, patrullojnë me biçikleta plazhin. Detyra e tyre është siguria dhe mbledhja e ankesave të qytetarëve.
Manjola Malo, e Policisë Bashkiake Rrogozhinë, shprehet: “Ka ankesa për pastërtinë, edhe njerëzit duhet të ndërgjegjësohen që mos të lënë plehrat kudo, por t’i vendosin në kosha që janë në të gjithë plazhin”.
Në plazh gjenden 8 kulla vrojtimi dhe 16 roje plazhi. Ministrja e Turizmit, Milva Ekonomi thotë se modeli i aplikuar nga Bashkia e Rrogozhinës duhet të shërbejë si shembull për bashkitë e tjera që kanë në menaxhim bregdetin shqiptar.
“Ky është një investim i rëndësishëm për vijën bregdetare të Detit Adriatik, por falë këmbënguljes së kryetarit të bashkisë u arrit të bëhej në një kohë rekord dhe këtu kishim mundësinë të punësojmë njerëz, pavarësisht se sezonalë, por shumë të rëndësishëm për ata që ofrojnë shërbime”, u shpreh Ekonomi.
Ndërsa Beqir Nuredini, kryetar i Bashkisë së Rrogozhinës, tha: “Është investuar mbi 2 milionë euro, kemi filluar dhe përfunduar projektin në 40 ditë”.
Numri i turistëve në Spille këtë vit është trefishuar. Në një ditë, plazhin e vizitojnë deri në 20 mijë pushues. Por, kreu i bashkisë thotë se për të rritur më tej këtë numër po planifikon sipërfaqe që do të ofrojnë të gjitha shërbimet mbështetëse për ata që udhëtojnë me “camper” apo tusristët e kampingjeve.