Partia Liberale Egjiptiane, të martën do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, me synimin se siç thuhet në njoftim, do t’i kthehet mandati që i takon në Kuvendin e Kosovës.
Veton Berisha, kryetar i kësaj partie, thotë se partisë që udhëheq i është bërë e padrejtë nga PZAP-ja dhe Gjykata Supreme.
Një ulëse në Kuvend nga komuniteti egjiptian e ka fituar Romani Iniciativa, që është raportuar si e afërt me Lista Serben dhe se shumë prej votave i ka marrë në vendbanimet me shumicë serbe.
“Dëshiroj t’ju njoftoj se ne kemi vendosur për të mos u dorëzuar dhe ju informojmë se nesër, më datë 13 prill 2021 në orën 13:00, do të dorëzojmë ankesën tonë në Gjykatën Kushtetuese dhe do të vazhdojmë të kërkojmë realizimin e plotë të të drejtës tonë të mohuar nga PZAP-ja dhe Gjykata Supreme në lidhje orkestrimin e votave nga ana e ‘Romani Iniciativa’ në vendbanime me shumicë të komunitetit serb në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit. Përmes Gjykatës Kushtetuese ne synojmë rikthimin e mandatit në Kuvendin e Kosovës të humbur padrejtësisht për komunitetin egjiptian, një e drejtë legjitime e përcaktuar nga vota e komunitetit egjiptian dhe ligjeve në fuqi. Po ashtu ankesën tonë në të njëjtën ditë rreth orës 13:30 do e deponojmë në zyrën e Avokatit të Popullit”, thuhet në njoftimin e Partisë Liberale Egjiptiane.