Grupi i tifozëve nga kryeqyteti, “Plisat”, kanë reaguar ndaj kandidatëve të subjekteve politike për kryetar të Komunës së Prishtinës, prej të cilëve kanë kërkuar të mos i përdorin klubet sportive dhe tifozerinë për fushatë në një kohë kur zgjedhjet lokale po afrohen.
“Plisat” thonë se po të njëjtit politikanë asnjëherë nuk shkojnë në stadium e palestra, por këtë e bëjnë vetëm atëherë kur u duhen votat.
Në reagimin e “Plisave” thuhet:
“Nuk është hera e parë që politikanët dalin publikisht me llogo ose me rekuizita zyrtare të Plisave, mirëpo duhet dhe do të jetë hera e fundit që ndokush nga ta do të mundohet të përfitojë përmes grupit PLISAT. Nuk ka rëndësi a je i Prishtinës dhe je duke kandiduar për kryetar të kryeqytetit, emrin e grupit PLISAT nuk guxoni ta përdorni për fushatat e juaja. Kjo vlen për të gjithë ata që po mundohen në emrin tonë të përfitojnë vota, kinse e duam Prishtinën, i duam Plisat, stadiumi i Prishtinës e dini të gjithë se ku gjindet, asnjëherë nuk ka ndërruar lokacion, pse nuk jeni prezent nëpër stadiume edhe ditëve të rëndomta, por jeni gjithmonë prezent kur juve ju nevojitet, pra gjatë fushatave?! Ne, grupi PLISAT, i dënojmë fuqishëm këto lojëra të pista që po ndodhin kohëve të fundit dhe shpresojmë që do t’a merrni parasysh këtë reagim dhe asnjëri nga ju pa marrë parasysh cilës parti i takoni – MOS BËNI FUSHATË NË EMËR TË PLISAVE ose me llogo të PLISAVE”.