Vonesa e Qeverisë së Kosovës për të siguruar një pajisje të nevojshme për koncertin e Rita Orës në 10-vjetorin e Pavarësisë, mund të jetë shkaktar që ky koncert të anulohet, edhe pas një muaj përgatitje.
Në 10-vjetorin e parë të Pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt, pritej të mbahej një koncert ku do të performonte falas Rita Ora, njëra ndër këngëtaret më të njohura në botë, me prejardhje nga Kosova.
Mirëpo, burime të Gazetës Express kanë bërë të ditur se ky koncert mund të dështojë, shkaku i vonesës me blerjen e një pajisje të nevojshme.
Nga Presidenca, anëtarët e këshillit organizativ, që po merren me përgatitjet për këtë ditë, nuk kanë komentuar për Express nëse një gjë e tillë është e vërtetë apo jo.
Në anën tjetër, pjesëtarë të këtij Këshilli nga Qeveria kanë bërë të ditur se nuk kanë informacione, mirëpo nëse eventualisht mund të ketë ndodhur një gjë e tillë, kompetencat për organizim i ka vetëm Presidenca.
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, e kishte vënë në dispozicion avionin privat për ardhjen e Rita Orës.
Edhe shefi i kabinetit të ministrit, Jetlir Zyberaj, tha se nuk kanë informacione për këtë gjë, duke deklaruar se ky koncert do të mbahet.
Këtë javë pritet të miratohet edhe buxheti, nëse eventualisht ky organizim nuk dështon dhe Rita Ora performon në Prishtinë për 10 vjetor. Kostoja totale e shpenzimeve pritet të arrijë shifrën e 300 mijë eurove.
Për nder të 10-vjetorit ishin paralajmëruar disa aktivitete. Ditë më parë në sheshin e Prishtinës ishte paralajmëruar edhe një koncert, por i njëjti nuk është mbajtur edhe pse skena ishte vendosur në vendin e paraparë.
Në këtë koncert pritej të performonin disa fytyra të njohura të estradës nga Shkupi, Tirana e Prishtina.
Express kishte raportuar ditë më parë se edhe dekorimet e sheshit, pak ditë pasi që janë vendosur aty janë, shkatërruar.
Ndërsa, në disa komuna në kuadër të organizimit janë vendosur edhe ikona me shkrimin #Kosova10.