Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar dy persona, 38 dhe 30 vjeç, pasi dyshohen për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar i armëve”.
Në njoftimin për media thuhet se të njëjtit po mbanin me vete në brez armë zjarri, në një lokal nate në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë.
“Sot, rreth orës 04:00 të mëngjesit, Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në një lokal nate, në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë, në fshatin Babush i Ri, dy persona bartin me vete në brez, armë zjarri”.
“Policia e stacionit në Ferizaj, nën autorizim të Prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i ka marrë veprimet e nevojshme dhe menjëherë është nisur në drejtim të këtij lokali”, thuhet në komunikatë.
Pasi janë kontrolluar të dyshuarit, te personi me inicialet RR.S i moshës 38 vjeçare, është gjetur një armë zjarri (pistoletë) me një karikator dhe shtatë fishekë.
“Dy të dyshuarit më pas janë shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga hetuesit policor, i dyshuari RR.S deklaron se arma i përkiste personit tjetër që ishte bashkë me të, me inicialet D.R (M/K) i moshës 30 vjeçar”, thuhet tutje.
Me vendim të Prokurorit të rastit, i dyshuari D.R dërgohet në mbajtje për 48 orë, ndërsa i dyshuari RR.S është liruar për procedurë të rregullt hetimore.
Rasti është cilësuar “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar i armëve”.