“Po të kishte çmim për politikanë të mbrapsht, do ta merrnin shqiptarët”

Prishtinë | 21 Dhj 2019 | 14:52 | Nga Ekonomia Online

Iniciativa e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për krijimin e një projekti të ashtuquajtur si “Minishengen” në koordinim me kreun e shtetit serb, Aleksander Vucic, po cilësohet si e papranueshme për Kosovën.

Askush nga Kosova nuk i është bërë krah Edi Ramës në një iniciativë të tillë, madje as presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili refuzoi ftesën për pjesëmarrje për shkak të Serbisë.

E gjithë këtë situatë profesori universitar, Blerim Latifi, po e sheh si një mungesë të unifikimit të Kosovës dhe Shqipërisë përballë politikës së Serbisë.

Sipas tij, as si shtet e as si komb, shqiptarët nuk po arrijnë të jenë njëzëri kundër politikave të Beogradit zyrtar.

Latifi thotë se po të kishte ndonjë çmim ndërkombëtar për politikanë të mbrapsht, shqiptarët do të ishin të parët që do ta fitnonin një të tillë.

Kosova ka injoruar tri takimet për projektin e Minishengenit. Për mospjesëmarrje në Novi Sad e Ohër, Rama kishte drejtuar akuza për krerët e politikës në Kosovë, duke thënë se po vetëizolohen.

Pa iu kundërpërgjigjur s’kanë qëndruar as krerët e partive politike në vend.

Isa Mustafa e ka cilësuar projektin e Minishengenit si përpjekje për jetësimin e një “Jugosllavie të vogël”, ndërkohë kreu i VV-së, Albin Kurti, ka thënë se Edi Rama është ngutur kur e ka konsultuar Serbinë përpara Kosovës.

Kurti thotë se në iniciativa të tilla Serbia duhet të lihet e fundit, për shkak se vazhdon flirtin me Rusinë e Putinit.

Kujtojmë se vizita e Vucicit në Tiranë është pritur me protesta të organizuara nga dega e LVV-së në Shqipëri. Kjo për shkak se para pak ditësh Vucic i kishte dalë në krah ish-ministrit të dënuar Teodosijeviq pas mohimit të Masakrës së Recakut.

Edhe Vucic kishte thënë se një gjë e tillë është fabrikim. Megjithatë këto deklarata nuk e kanë penguar Edi Ramën që të endet nëpër Shqipëri me Vucicin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme