Komunarët e Podujevës planifikojnë që të mos lëshojnë asnjë dokument (përjashto ato të ofiçarisë) për ata që nuk i paguajnë faturat e mbeturinave. Në propozim-rregulloren për menaxhimin e mbeturinave, e cila është vënë në diskutim publik, parashihet që edhe pagesa të bëhet në komunë, e jo kompanive siç ka qenë deri tash.
Në nenin 6, ku flet për të drejtat dhe detyrat e gjeneruesve të mbeturinave, thuhet se çdo gjenerues i mbeturinave është i obliguar të përfshihet në sistemin e menaxhimit të mbeturinave dhe ka të drejtë qasjeje në shërbimin e ofruar, ka të drejtë ankese, ndaj shërbimit të ofruar, duhet të respektoj rregullat e shkarkimit të përcaktuar sipas planit lokal të menaxhimit të mbeturinave, të të bëjë përpjekje për zvogëlimin e sasisë së mbeturinave (përmes kompostimit shtëpiak dhe formave tjera të mundshme), të paraqes ndryshimin e të dhënave ( si p.sh. shitja e pronës, trashëgimia, dëshmitë dhe dokumentet tjera të përditësuara).
“Gjeneruesit e mbeturinave detyrohen që mbeturinat t’i ndajnë dhe t’i vendosin sipas sistemit të përcaktuar nga Komuna. Ndërmarrjet prodhuese, ndërtuese dhe të tjera të cilat gjenerojnë mbeturina, obligohen që Komunës së Podujevës t’ia dorëzojnë planin e menaxhimit të mbeturinave, të cilat i gjenerojnë gjatë ushtrimit të veprimtarisë”, thuhet në këtë propozim-rregullore.