Poezi: Njeriu

Prishtinë | 29 Qer 2023 | 21:00 | Nga Ekonomia Online

(Nga Shkurtë Kadriu Çitaku)

njeriu është një lëvozhgë arre që thyen e thehet shpejt
është lojë fëmijësh që ka fillim e fund
është një dritë që harxhohet
bash si ato poqet kineze me afat të memorizuar
njeriu është një zë bibili kur do
po edhe një krrokamë sorre në raste
një tjegull që bie nga çatia kur fryn erë e madhe është njeriu
njeriu është një park i mbushur me lule e drunj të gjatë
ku ka edhe insekte që të pickojnë por ka edhe ajër të pastër për mushkëritë
njeriu është një oqean i qetë
ashtu siç është një det i trazuar
ku shpesh përmbys anijet me kapitenët më të mirë
njeriu është një lojë shahu herë fitues e herë i mundur
njeriu është një sëmundje është një jetë është një vdekje
nganjëherë ngatërrohet me bishën po po ngatërrohet njeriu
njeriu është një dritë është rreze dielli atëherë kur don e ka ku
ah njeriu njeriu është edhe një luftë luftë e tmerrshme që s’pyet për sojin e tij

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme