Mbi 3 milionë euro mendohet të jetë shuma, të cilën autoritetet kufitare serbe ua kanë plaçkitur qytetarëve kosovarë brenda vetëm tremujorit të fundit. Kjo si pasojë e nisjes së një fushate plaçkitëse nga autoritetet serbe ndaj qytetarëve nga Kosova dhe të atyre kosovarëve të cilët jetojnë jashtë vendit.
5 deri në 10 euro janë tarifat të cilat serbët kanë nisur ta kërkojnë nga kosovarët pa kurrfarë arsyetimi në këmbim të lejimit për të kaluar kufirin. Sikur kjo plaçkë të mos mjaftonte kosovarët e dëmtuar i kanë rrëfyer “Zërit” se edhe trajtimi që po u bëhet është jashtë çdo norme etike dhe zyrtare.
“Po na fyejnë, bërtasin dhe në fund po na plaçkitin”, i ka rrëfyer “Zërit” Arlind Imeri, i cili jeton në Zvicër por që ka ardhur me veturë në Kosovë për pushime.
Për gjithë këtë problem dhe shqetësim të kosovarëve ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka zgjedhur heshtjen. /Zëri/