Polici i suspenduar e mbyll Facebook-un, thotë se është për sigurinë e tij

Prishtinë | 10 Shk 2022 | 15:40 | Nga Ekonomia Online

Polici i suspenduar nga puna, Amir Hoxha, shkruar në Facebook se do ta mbyllë përkohësisht llogarinë e tij në këtë rrjet social.

Hoxha ka shkruar se arsyeja e mbylljes së llogarisë është siguria personale.

“Miq të nderuar ju informoj që për shkak të sigurisë time personale dhe ruajtjes së shëndetit tim dhe të familjes time po e mbyll facebook tim përkohësisht”, ka shkruar Hoxha.

Hoxha është suspenduar javën e kaluar nga Policia e Kosovës për shkak të një statusi ku kishte reaguar mbi shpenzimet e deputetëve për karburante, derisa kishte thënë se policët nuk po paguhen për punët jashtë orarit.

“Deri sot të paktën kam besuar se jetoj në një vend demokratik, dhe se fjala e lirë  mbrohet  dhe ruhet si vlerë dhe se vetëm në regjimet autokratike totalitare sanksionohet me ligj, që shkel masovisht drejtat themelore të individit në veçanti dhe shoqërisë në përgjithësi. Mirëpo në këtë pikë paskan gabuar sepse pushteti  atëherë kur po u lëkundkan   interesat e veta elektorale po i goditka edhe instrumentet e veta që vet i përdor për ruajtjen e qenësisë se po atij pushteti”, kishte shkruar Hoxha.

Inspektorati Policor i Kosovës kishte deklaruar se Hoxha është suspenduar për shkelje të brendshme disiplinore.

“Suspendohet një zyrtar policor nën dyshimet për shkelje të brendshme disiplinore Bazuar në Udhëzimin Administrativ “Për Shkeljet, Masat dhe Procedurat Disiplinore në Policinë e Kosovës” 04/2019, përkatësisht neni 24, paragrafi 1.17, është suspenduar një zyrtar policor. Vendimi mbi suspendimin në kohëzgjatje deri në tri (3) ditë, është marrë për zyrtarin policor (punonjës në Stacionin Policor Qendra Prishtinë), nën dyshimet për shkelje disiplinore të sanksionuar sipas udhëzimit të sipërshënuar”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme