Një polic ka vrarë një person rreth 30-vjeçar me inicialet B.R., në lagjen “Arbëria” në Gjilan.
Sipas informatave të para, B.R. kishte sulmuar një vajzë rreth moshës 11 vjeç dhe më pas në vendngjarje është thirrur policia.
Sipas Jakup Pajazitit, i afërm i të vrarit, B.R. vuante nga sëmundje psikike dhe sipas dyshimeve të para, ai ka sulmuar edhe policinë që kishte ardhur në vendngjarje.
Polici thuhet se ka marrë plagë nga thika.
Sipas policisë, vrasja ka ndodhur pasi personi, tashmë i vrarë, kishte therur me thikë një vajzë 11-vjeçare e cila ka marrë plagë serioze nga ky incident.
Zëdhënësi i Policisë së Gjilanit, Ismet Hashani, tha se policia kishte marrë një informacion se një person është therur me thikë.
“Kur e ka therur vajzën, personi i dyshuar ka ikur nga vendi i ngjarjes ndërsa policia gjatë kërkimit të tij ka arritur që ta gjejë, ndërsa kanë vërejtur se i dyshuari kishte me vete dy armë të ftohta me të cilat edhe e ka plagosur një polic”, tha Hashani.
Me këtë rast, polici ka shtënë në vetëmbrojtje.