Policia e Kosovës, ka nisur aktivitetin që i dedikohet “1 Qershorit”- Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve.
Në këtë aktivitet policor po marrin pjesë familjarë dhe fëmijë të moshave të ndryshme, të cilët do të kenë mundësi të përcjellin aktivitetin policor, ku do të paraqiten njësi të ndryshme policore si dhe aktivitete tjera me persona të veshur me figura (maskota) të ndryshme për fëmijë, raporton Ekonomia Online.
Major Baki Kelani i ka siguruar fëmijët se Policia e Kosovës është dhe do të jetë gjithmonë në shërbim të qytetarëve të Kosovës, e në veçanti të fëmijëve. Derisa janë të vetëdijshëm që nëpër Kosovë ka ende fëmijë që keqpërdoren, ai ka siguruar që bashkë me familjet janë të përkushtuar t’i kthejnë ata aty ku e kanë vendin, në shkolla.
“Me të vërtet sot jam para një audience, që kurrë në jetën time nuk kam pasur audiencë më të mirë, dhe ky aktivitet tregon se sa është e përkushtuar Policia ndaj mbrojtjes së qytetarëve dhe në veçanti ndaj fëmijëve”, tha ai.
Në këtë ditë ka thënë ai në tërë botën organizohen aktivitete, ku në qendër janë fëmijët.
“Ne e dimë që shumë fëmijë keqpërdoren nëpër Kosovë dhe përdoren për të kërkuar lëmoshë. Ne po mundohemi që këta fëmijë t’i kthejmë aty ku e kanë vendin, në bankat shkolla. Kosova përveç ligjeve zbaton edhe konventën ndërkombëtare siç është Konventa Botërore për të drejtat e fëmijëve. Ne ju tregojmë, Policia ka qenë dhe do të jetë e angazhuar 24 orë për të mbrojtur të drejtat tuaja”, tha Kelani.
“Qëllimi i këtij aktiviteti është të mbroj të drejtat tuaja dhe gjithashtu tregon që ne kemi një angazhim të madh në mbrojtjen tuaj”, theksoi ai.
Ky është aktiviteti i parë që Policia organizon për fëmijët në ditën e tyre.
Njëkohësisht në kuadër të programit/aktivitetit policor do të ketë edhe aktivitete argëtuese me muzikë, vallëzim si dhe fotografi për fëmijët me zyrtarët policor.
Foto: Ekonomia Online