Drejtoria Kundër Terrorizmit në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, e mbështetur edhe nga njësitë tjera të specializuara të Policisë së Kosovës, ka ndërmarrë një operacion në rajone të ndryshme të Kosovës (Mitrovicë, Ferizaj, Prishtinë) për zbatimin e urdhër kontrolleve të lëshuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Gjatë këtij operacioni në cilësinë e të dyshuarve janë shoqëruar në Stacionin e Policisë shtatë (7) persona (V.I, L.M, B.B, B.I, K.P, L.V dhe L.M), nën dyshimin e bazuar se të njëjtit janë përfshirë në vepra penale nga Kapitulli XIV i Kodit Penal, përkatësisht Veprat Penale Kundër Rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës.
Gjatë këtij operacioni në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar pajisje dhe gjësende tjera relevante me rastin.
Me urdhër të Prokurorit të rastit nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj të dyshuarve është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve.
Policia e Kosovës në bashkëpunim të plotë edhe me institucionet tjera relevante brenda dhe jashtë Kosovës, në vazhdimësi do të ndërmarrë veprimet e saja ligjore për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në vend.