Policia e Kosovës, pas pranimit të informacioneve mbi dyshimet se dy persona të dyshuar kanë konsumuar veprat penale Dhënia e ryshfetit dhe Marrja e ryshfetit, ka ndërmarrë veprimet operative dhe hetimore në terren të cilat kanë rezultuar me arrestimin e të dyshuarve të lartcekur.
Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicë jug, janë informuar se
një zyrtar-inspektor i ATK-së dyshohet se mund të ketë keqpërdorur detyrën zyrtare, ku gjatë ushtrimit të
detyrës zyrtare në terminalin Doganor në Mitrovicë dyshohet se nga një qytetar/palë në procedurë ka
pranuar një shumë të hollash.
Gjatë punës operative dhe hetimore në bashkëpunim edhe me zyrtarë të Policisë Kufitare, në hapësirat e
terminalit Doganor në Mitrovicë janë siguruar dëshmitë se i dyshuari mashkull me qëllim të lehtësimit të
procedurave të kontrollit, i kishte ofruar para të gatshme zyrtarit të ATK-së të cilat i janë gjetur në xhepin e tij dhe të njëjtat i janë sekuestruar përkohësisht si provë materiale relevante për veprën penale.
Lidhur me rastin të dyshuarit janë shoqëruar për intervistim në prezencën e avokatëve, ku pas përfundimit
të intervistave është njoftuar prokurori kompetent, i cili të dyshuarve u ka caktuar masën e ndalimit policor.