Policia arreston politikanin serb Arsenijeviq për “pengim të punëtorëve të komunës së Mitrovicës së Veriut”

Prishtinë | 08 Gus 2024 | 11:38 | Nga Ekonomia Online

Alleksandar Arsenijeviq nga partia Demokracia Serbe është arrestuar në veri të Kosovës, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Sipas Elshanit, Arsenijeviq ka penguar punëtorët e komunës së Mitrovicës së Veriut dhe ka refuzuar urdhrat policore.

Ai është arrestuar në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër, ku punëtorët e komunës ishin duke lyer.

Arrestimi i Arsenijeviqit u bë në ditën kur në Mitrovicë të Veriut mbahet një debat për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

Në debat do të marrin pjesë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, të komunës së Mitrovicës së Veriut, teksa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në të për “shprehur shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit”.

Qeveria e Kurtit, në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafik.

Megjithatë, vendet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky mision ka përsëritur se nuk do të ngurrojë të ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Të ngjashme