Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë.
Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë pas mesnate, pasi Policia ka bastisur një lokal nate në fshatin Poterq i Epërm i Klinës.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se gjatë kontrollit te personat e pranishëm në lokal, te njëri prej tyre është gjetur një armë zjarri për të cilën nuk posedonte leje të lëshuar nga organet kompetente.
Arma është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa 26-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i dyshuari të dërgohet në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.
Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“