Dy zyrtarë policorë kanë marrë lëndime të lehta trupore gjatë përleshjes me aktivistët e Partisë Socialdemokratike (PSD), e cila ka ndodhur sot rreth orës 12:15 në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Sipas tij, ky aktivitet ka qenë i paparalajmëruar nga aktivistët e kësaj partie.
“Sot rreth orës 12:15 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, një grumbull personash kanë zhvilluar një aktivitet të paparalajmëruar. Përkundër faktit që këtyre personave u është bërë e qartë nga policia se veprimet e tilla janë të palejuara, të njëjtit duke shpërfillur urdhrat e zyrtarëve policor, me veprimet dhe sjelljet e tyre kanë penguar zyrtarët policor në kryerjen e detyrës zyrtare”, ka thënë Borovci.
Siç tha ai si pasoj e veprimeve të lartcekura dy zyrtar policor kanë pësuar lëndime të lehta përderisa në objektin e Qeverisë janë vendosur grafite.
“Aktualisht policia po trajton rrethanat që karakterizojnë ngjarjen përderisa po koordinon veprimet me mekanizmat e tjerë për zbatim të ligjit”, ka thënë ndër të tjera Borovci për Telegrafin.