Policia e Kosovës dhe KFOR-i janë zotuar për vazhdim të bashkëpunimit në të ardhmen.
Këtë zotim e dhanë drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, gjatë një takimi me Salvatore Cuocin, gjeneralin e KFOR-it.
Në takim, theksohet se Qalaj “e njoftoi për angazhimet e PK-së dhe synimet drejtpërmbushjes së detyrave dhe obligimeve të saja ligjore, në të mirë të sigurisë dhe rendit në Republikën e Kosovës”.
“Policia e Kosovës ka kapacitete profesionale dhe është e përgatitur që të ofrojë siguri, të luftojë kundër krimit të organizuar, krimit trans kufitar, si dhe të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare, dhe si rezultat i nevojës së angazhimit, bashkëpunimit dhe inkuadrimit të Policisë së Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Në njoftim theksohet po ashtu se Policia e Kosovës ka bashkëpunim të mirë me autoritet e KFOR-it, “bashkëpunim ky i cili ka treguar rezultate pozitive në fusha të ndryshme, duke përfshirë edhe sukseset në patrullimet e përbashkëta, kryesisht në brezin kufitar”.
“Gjatë takimit u zotua për bashkëpunim të ndërsjellë edhe në të ardhmen, duke përfshirë edhe shkëmbimin e përvojave dhe trajnimeve fushore, me qëllim të avancimit të mëtejmë të të dy institucioneve, e që kanë synime të përbashkëta në sigurinë e vendit dhe qytetarëve”, thuhet në fund të njoftimit.