Policia dhe Prokuroria flasin për rastin e plagosjes së avokatit Vllasi

Prishtinë | 13 Mar 2017 | 10:25 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Sot rreth orës 08:00 të mëngjesit në zyrën e tij është plagosur avokati Azem Vllasi. Lajmin për Ekonomia Online e ka konfirmuar edhe prokuroja e rastit Bukurie Gjonbalaj dhe Policia.

Prokurorja Gjonbalaj, pasi ka dalur në vendin e ngjarjes ka thënë se hetimet janë duke vazhduar dhe se dyshohet për një person.

“Hetimet janë duke vazhduar dhe për këtë rast dyshohet një person”, ka thënë ajo.

Kurse major Isak Ejupi, shef i Operativës në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës ka thënë se në orën 08:00 të mëngjesit kanë marrë informatë për gjuajtje me armë zjarri në rrugën “Hajdar Dushi”, dhe se janë duke vijuar me ekzaminimin e vendit të ngjarjes.

“Në orën tetë të mëngjesit kemi marr informat që ka gjuajtje me armë zjarri në rrugën “Hajdar Dushi”, ndërsa njësitë relevante kanë dalur në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar se një person është i plagosur lehtë me armë zjarri ndërkohë të gjitha njësitë e hetimeve janë duke vijuar me ekzaminimin e vendit të ngjarjes . Për momentin nuk kemi konkretisht person të dyshuar. Ne po vazhdojmë ta ekzaminojmë vendin e ngjarjes dhe nga provat që do t’i mbledhim atje do të kemi ndonjë rezultat eventual dhe pastaj do ta prezantojmë”, ka thënë ai.

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar (ShSKUK) përmes një njoftimi për media ka thënë se në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare e Kosovës, pas orës 8:00 të mëngjesit të sotëm, është pranuar për trajtim një pacient si pasojë e plagosjes me armë zjarri në krah.

“I plagosuri menjëherë ka marrë ndihmën mjekësore nga ana e mjekëve të Klinikës Emergjente dhe është jashtë rrezikut për jetë. Pas ekzaminimeve mjekësore, vërtetohet se bëhet fjalë për plagosje me armë zjarri”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.

“I njëjti është dërguar për ekzaminim me Tomografi të kompjuterizuar (CT) dhe pas ekzaminimeve pritet të ndërmerren masat e nevojshme për trajtim të mëtejmë shëndetësorë”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme