Policia e Kosovës do të asistojë OSBE-në me rastin e transportimit të fletëvotimeve të zgjedhjeve në Serbi, për në Rashkë dhe Vranje.
Kështu të paktën ka thënë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për regjionin e veriut, Besim Hoti, për mediumin në gjuhën serbe, “radiokontaktplus.org”.
Zgjedhjet në Serbi mbahen të dielën, ndërsa votimi do të organizohet edhe në Kosovë. Sipas Radio Kontakt Plus, Hoti ka thënë se pjesëtarët e Policisë së Kosovës do të jenë në dispozicion të misionit të OSBE-së në Kosovë dhe do të ofrojnë ndihmë në kuadër të të gjitha nevojave që misioni do të kërkojë përmes zyrës në Prishtinë.
Nuk do të angazhohen forca shtesë të policisë, ndërsa në fuqi do të jetë një plan i rregullt operativ.
Sipas të dhënave të Komisionit zgjedhor të Serbisë, në Kosovë do të hapen 80 vendvotime.