Policia e Kosovës ka bërë gjitha përgatitje e duhura për sigurimin e zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden. Ky i fundit ka paralajmëruar vizitë dy ditore në vendin tonë, ku pritet të takohet me presidentin, Hashim Thaci si dhe kryeministrin Isa Mustafa.
Zëdhënësi i PK-së, Daut Hoxha ka thënë për Indeksonline se policia i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë publike.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucionet tjera relevante, si dhe në koordinim të aktiviteteve bashkëvepruese me strukturat e sigurisë së SHBA-së, që janë përgjegjëse për sigurinë e personalitetit, kanë ndërmarrë masa për ngritjen e nivelit të sigurisë gjatë realizimit të kësaj vizite të Bidenit në Republikën e Kosovës”, ka thënë Hoxha.