Policia e Kosovës respektivisht njësitë policore nga pikat kufitare për mbikëqyrje të kufirit SPMK – Gjilan dhe Hani i Elezit në dy raste të ndara kanë parandaluar aktivitete kriminale të kontabandimit me mallra dhe të migrimit ilegal.
Me datë 24.10.2022 në pikën kufitare Gjilan përmes rrugëve operative janë pranuar informacione se nga territori i Serbisë ka hyrë një automjet i dyshuar i ngarkuar me mallraqë dyshohet të jenë të kontrabanduara.
Pas pranimit të informacioneve njësitë patrulluese kompetente kanë ndërmarrë veprime për ndalim të mjetit të dyshuar me ç’rast kanë vendosur një pikë kontrolli vëzhguese, ku si rezultat është arritur që të ndalohet automjeti i dyshuar, me targa serbe, i cili kishte hyrë në Kosovë përmes rrugëve ilegale.
Gjatë kontrollimit të veturës janë gjetur gjithsej 676 pako me barna të llojeve të ndryshme.
Lidhur me rastin është konsultuar prokurori me urdhër të së cilit personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë, ndërsa malli dhe automjeti janë sekuestruar për procedura të mëtejme.
Po ashtu me datë 25.10.2022, në kuadër të parandalimit të aktiviteteve kriminale dhe dukurive të tjera negative që bien ndesh me ligjin, Policia e Kosovës, respektivisht njësia policore në pikë kalimin kufitar – Hani i Elezit kanë identifikuar 4 shtetas të huaj të cilët janë gjetur të fshehur në rimorkion e një kamioni me targa të Maqedonisë së Veriut, me drejtues shtetas i Maqedonisë së Veriut. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me udhëzim të së cilit janë duke vazhduar të gjitha procedurat e nevojshme policore.