Policia e Kosovës nuk e lejon klubin serb të zhvillojë ndeshje ilegale në Kosovë, e kthen mbrapa në Jarinjë

Prishtinë | 01 Mar 2021 | 10:57 | Nga Ekonomia Online

Klubeve nga Serbia vazhdohet që t’u thuhet “stop” në momentin që tentojnë të futen në territorin e Kosovës për të zhvilluar ndeshje ilegale.

Klubi serb i hendbollit, RK Arilje, nuk është lejuar të futet në territorin e Kosovës nga policia kosovare dhe është kthyer mbrapsht në pikën kufitare në Jarinjë.

RK Arilje po udhëtonte drejt Mitrovicës së Veriut për t’u përballur me klubin tjetër serb nga Mitrovica, Trepça, kur u ndalua për një orë nga policia e Kosovës para se të kthehej nga kishte ardhur.

Image
Qëllimi i RK Arilje ishte ta zhvillonte një ndeshje të jashtëligjshme në territorin e Kosovës në një garë të Federatës së Hendbollit të Serbisë.

Ka qenë vetë skuadra e Ariljes që ka njoftuar përmes “Facebook” se nuk u lejua të futej në Kosovë për shkak se nuk kishte leje nga Ministria e Sportit e Kosovës për të bërë gara në territorin e Kosovës, raporton Zeri.info.

“Ndeshja e shtyrë e javës së nëntë në Ligën e Parë Perëndimore, Grupi B, mes RK Trepca dhe RK Arilja e caktuar për 28.02.2021 në orën 15:00 në Mitrovicë, nuk do të luhet. Lojtarët e Arilje u ndalën për një orë në pikën kufitare në Jarinjë dhe më pas u kthyen mbrapsht”, njoftoi klubi serb.

Lajmi ka bërë jehonë në mediet serbe.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme