Policia e Kosovës, gjegjësisht Drejtoria e Policimit ne Bashkësi dhe Preventivë, me përkrahjen e misionit të OSBE-së në Kosovë, duke filluar nga data 17.09.2021 deri më 23.09.2021, në katër rajone policore ka realizuar punëtori me temën “Bashkëpunimi ndërinstitucional/sfidat në parandalimin dhe trajtimin e delikuentëve të mitur”.
Qëllimi i punëtorive ishte prezantimi i përgjegjësive dhe sfidave nga ana e institucioneve relevante rreth parandalimit dhe trajtimit të rasteve me delikuent të mitur, si dhe bashkëpunimi ndërinstitucional në këtë fushë.
Në punëtori përveç hetuesve nga rajonet përkatëse dhe atyre nga policia kufitare, pjesëmarrës kanë qenë edhe përfaqësues nga institucionet si: Prokuror nga Departamenti për të mitur, Qendrat për punë Sociale, Shërbimi Sprovues dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit.
Nga prezantimet dhe diskutimet e zhvilluara, është vlerësuar se bashkëpunimi ndërinstitucional në fushën delikuencës së të miturve në përgjithësi duhet të avancohet edhe më tutje me qëllim të parandalimit, trajtimit dhe luftimit sa më efikas të kësaj dukurie.
Deri në fund të këtij viti Policia e Kosovës do të realizoj punëtori edhe në rajonet tjera.