Policia e Kosovës realizon transferimin e një të dënuari dhe ekstradimin e një të dyshuari nga Çekia dhe Gjermania

Prishtinë | 14 Jan 2026 | 21:19 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka njoftuar se, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor dhe në koordinim me njësitë relevante policore dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar me sukses transferimin e një të dënuari dhe ekstradimin e një të dyshuari për në Kosovë.

Sipas njoftimit zyrtar, më 13 janar 2026 është transferuar nga Çekia në Kosovë një shtetas kosovar, i cili ishte i dënuar për veprën penale “vrasje në tentativë”. Policia bën të ditur se i dënuari, pas transferimit, i është dorëzuar Shërbimit Korrektues të Kosovës për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit, pasi një pjesë të tij e kishte vuajtur në shtetin çek.

Ndërkaq, më 14 janar 2026 është realizuar ekstradimi nga Gjermania në Kosovë i një shtetasi kosovar, i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës. Sipas Policisë, i dyshuari kërkohej për përfshirje në veprat penale “mbajtje në posedim dhe kontroll të armës”, “lëndim trupor” dhe “kanosje”.

“Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të shtetit gjerman”, thuhet në komunikatë, duke shtuar se pas ekstradimit, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse policore për vazhdimin e procedurave të mëtejme ligjore.

Policia e Kosovës thekson se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimit, kapjes dhe arrestimit të personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.

Të ngjashme