Policia e Kosovës ka informuar lidhur me realizimin e disa operacioneve policore në shkallë vendi të implementuara gjatë ditëve të fundit, të cilat ndërlidhen me parandalimin e akteve terroriste në Kosovë dhe rajon.
Drejtoria Kundër Terrorizmit në koordinim dhe bashkëpunim të plotë me Agjencionin Kosovar të Inteligjencës (AKI), si dhe në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të RKS-së, ka arritur të parandalojë sulme terroriste të planifikuara dhe të sinkronizuara që të ndodhin në të njëjtën kohë, jo vetëm në Republikën e Kosovës, por edhe në rajon.
“Duke pasur parasysh se institucionet e Sigurisë në vazhdimësi monitorojnë dhe trajtojnë personat që shfaqin elemente ekstremiste, kanë kuptuar se persona të caktuar ishin në kontakt me të dyshuarin L. M., nga i cili merrnin udhëzime në përgatitjen dhe kryerjen e sulmeve terroriste në rajonin e Ballkanit”, thuhet në njoftimin e PK-së.
“Pas një monitorimi dhe hetimi për një periudhë të gjatë kohore, ku janë përdorur të gjitha masat e specializuara të fshehta të hetimit, është arritur të sigurohen prova të mjaftueshme ku personat e caktuar ishin në planifikim të kryerjes së akteve terroriste në Republikën e Kosovës si dhe ndaj përfaqësueses së Izraelit në futboll, fansave tyre që pritej merrnin pjesë gjatë ndeshjes futbollistike Shqipëri-Izrael”.
Gjatë hetimeve, policia thotë se ka kuptuar se këta persona të dyshuar kanë qenë të ndarë në grupe të ndryshme dhe të koordinuar nga terroristi L. M., nga i cili kanë marrë udhëzime.
Këto grupe kanë vepruar të ndara, por që në koordinim me L. M. dhe R. H. të cilët gjenden në Siri përkrah ISIS-it, kanë pasur objektiva të qartë se kush dhe kur duhet të sulmohet.
Nga data 04.11.2016 dhe deri më sot janë arrestuar 19 persona të dyshuar; 18 prej tyre janë shtetas të Republikës së Kosovës dhe një shtetas i Republikës së Maqedonisë.
Me vendim të prokurorit kompetent, 18 personave të dyshuar iu është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh; ndërsa njeri prej tyre është liruar në procedurë të rregullt pas ndalimit prej 48 orësh.
Gjatë realizimit të këtyre operacioneve policore në cilësinë e provave materiale janë konfiskuar:
Në komunikatën e PK-së theksohet se Kosova si pjesë e koalicionit ndërkombëtarë kundër ISIL (ISIS), për këtë rast ka bashkëpunuar edhe me autoritetet nga shtetet e rajonit si, Shqipërinë dhe Maqedoninë, vende këto në të cilat po ashtu ka pasur arrestime të personave të dyshuar.