Policia e Kosovës ua ndalon hyrjen veturave me targa KM që kanë vazhduar regjistrimin pas marrëveshjes së Brukselit

Prishtinë | 18 Jan 2023 | 17:28 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës në pikën kufitare të Jarinës ka ndaluar një autoambulancë me targa ilegale serbe, ku kishte akronimet e qytetit të Mitrovicës.

Automjeti është ndaluar me arsyetimin se nuk kishte të drejtë të lëvizte sepse është veturë, të cilës i është vazhduar regjistrimi i tabelave pas datës 10 dhjetor.

Milan Jovanoviq, shofer i ambulancës nga Mitrovica e Veriut, ka pohuar se policët i kanë thënë se të gjitha automjetet e regjistruara pas datës 10 dhjetor konsiderohen të paregjistruara dhe se kjo rrjedh prej “Marrëveshja e Brukselit”, raporton b92.

“Fillimisht i kanë marrë dokumentet dhe kanë thënë se vetura është e paregjistruar dhe nuk mund të hyjë në Kosovë. Sot në orën 10:00 ka ardhur një vendim që asnjë automjet me targa KM nuk mund ta vazhdojë regjistrimin pas datës 10 dhjetor”, tha Jovanoviq.

Ai ka thënë se zyrtarët e Policisë së Kosovës më pas kanë kthyer pas të gjitha veturat private të regjistruara me targa KM.

Duhet theksuar se Kosova dhe Serbia me 23 nëntor të 2022-ës kanë arritur marrëveshje për targat në Bruksel.

Sipas marrëveshjes, Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

Të ngjashme