Policia e Shqipërisë largon flamurin e UÇK-së nga stadiumi dhe një tifoz që kishte veshur fanellën UÇK

Prishtinë | 08 Qer 2025 | 09:08 | Nga Ekonomia Online

Një ngjarje shqetësuese ka ndodhur në stadiumin kombëtar “Air Albania” gjatë ndeshjes së shumëpritur Shqipëri–Serbi, ku Policia e Shtetit ka ndërhyrë për të ndaluar shfaqjen e flamurit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ka larguar nga stadiumi edhe një tifoz që mbante veshur një fanellë me këtë simbol.

Ky veprim ka ngjallur reagime të forta në rrjete sociale dhe në opinionin publik, veçanërisht në Kosovë, ku flamuri i UÇK-së vlerësohet si simbol i lirisë, qëndresës dhe sakrificës për çlirim.

Ngjarja ndodhi në një nga ndeshjet më të ngarkuara emocionalisht për shqiptarët, ku Shqipëria ishte nikoqire e Serbisë, në një përballje që tejkalon fushën e sportit dhe prek dimensione historike, politike dhe kombëtare.

Shfaqja e flamurit të UÇK-së nga tifozët nuk ishte e rastësishme, ishte një shprehje krenarie dhe kujtese kolektive për sakrificën e luftës për liri.

Megjithatë, para fillimit të ndeshjes efektivët e Policisë së Shtetit ndërhynë për të larguar flamurin.

E më vonë ishte një moment edhe më i rëndë, ku mbi 20 policë e rrethuan një tifozë që po mbante veshur një fanellë me stemën e UÇK-së. Përkundër se tifozët tjerë u munduan ta mbronin tifozin, ai u kap nga forcat e Policisë së Shtetit dhe u u largua nga stadiumi.

Të ngjashme