Policia e Shtetit me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike për festat e fundvitit, natës së ndërrimit të viteve dhe ditëve të para të vitit të ri 2023, ka marrë një sërë masash shtesë, për të siguruar mbarëvajtjen e festave dhe për të parandaluar ngjarjet kriminale dhe ato rrugore, pasi nga e premtja ka rritje të numrit të shtetasve që hyjnë më Shqipëri, nëpërmjet pikave të kalimit kufitar.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se masa shtesë janë marrë edhe për të parandaluar përdorimin e kundërligjshëm të lëndëve piroteknike (fishekzjarrë, kapsolla etj).
Tutje në njoftim thuhet se është hartuar plani i përgjithshëm i masave nëpërmjet të cilave synohet rritja e sigurisë në komunitet, në të gjithë territorin, duke shtuar prezencën e shërbimeve të Policisë.
Lexoni më poshtë hartimin e planit të përgjithshëm të masave, nëpërmjet të cilave synohet:
- Rritja e sigurisë në komunitet, në të gjithë territorin, duke shtuar prezencën e shërbimeve të Policisë.
- Parandalimi i ngjarjeve kriminale, nëpërmjet kontrollit të plotë të territorit nga strukturat e Policisë, kontrolli ndaj personave me precedentë kriminalë, i automjeteve të tyre, si dhe i ambienteve që ata frekuentojnë, bazuar në inteligjencën informative.
- Sigurimi në kohë i informacioneve për parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim për ngjarje kriminale, dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale.
- Shtimi i sporteleve dhe i burimeve njerëzore, në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Në pikat tokësore, bashkëpunim i ndërsjellë me homologët, me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore, shmangien e radhëve të gjata dhe për sigurimin e lëvizjeve të njëtrajtshme, në të dyja anët e kufirit.
- Rritja e kontrollit në pikat e kalimit kufitar dhe shtimi i patrullimeve në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.
- Monitorimi i akseve rrugore, me makina inteligjente, radarë automatikë dhe me patrulla të lëvizshme, me mjete të pauniformuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore;
- Forcimi i masave për kontrollin ndaj subjekteve që tregtojnë fishekzjarrë dhe lëndë të tjera piroteknike, duke bashkëpunuar me PMNZH-në dhe me strukturat e tjera ligjzbatuese.
- Rritja e prezencës së shërbimeve të Policisë, në shëtitore, pedonale, objekte kulti dhe sheshe publike, në të gjitha bashkitë e vendit, për të garantuar mbarëvajtjen e festimeve gjatë natës së Krishtlindjes dhe gjatë natës së ndërrimit të viteve.
- Gjithashtu, strukturat e Policisë kanë planifikuar masa për mbajtjen në kontroll, të sigurisë dhe rendit, në restorante, lokale dhe qendra tregtare, që kanë frekuentim të lartë qytetarësh.
- Në vijim, për të parandaluar ngjarjet kriminale, janë organizuar shërbime policore shtesë, në banka, zyra të këmbimit valutor, tregje dhe objekte të tjera, ku administrohen vlera monetare dhe materiale.
- Strukturat e Policisë po bashkëpunojnë edhe me shërbimet private të sigurisë fizike (SHPSF), për përforcimin e shërbimeve të sigurisë së objekteve, si dhe gjatë shoqërimit dhe transportimit të vlerave monetare.
- Ndërkohë shërbimet e lëvizshme operacionale (FLO) të Policisë së Shtetit, janë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment, në rast së është e nevojshme.
Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të krijuar një ambient sa më të sigurt për të gjithë qytetarët, dhe në këtë kuadër i fton ata që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 dhe në Komisariatin Digjital, çdo rast paligjshmërie.