Policia e Kosovës ende s’i ka arrestuar e madje as identifikuar autorët e sulmit ndaj anëtares se PDK-së, Arbana Xharra.
“Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë kompetente, është duke vazhduar me hetime intensive drejt zbardhjes sa më parë të këtij rasti”, ka thënë zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani për Express.
Arbana Xharra ishte rrahur para banesës së saj në Prishtinë, në mbrëmjen e së premtes, pasi ishte kthyer nga një debat televiziv në Tiranë. Ishte trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Pasi kishte marrë ndihmën mjekësore ishte lëshuar për trajtim të mëtutjeshëm në shtëpi.
Ish-kryeredaktorja e “Zërit” ka hyrë në Partinë Demokratike të Kosovës një ditë para se Kuvendi të shkarkonte Qeverinë e koalicionit PDK-LDK.
Me shkrimet e saj, Xharra kishte kritikuar PDK-në dhe partitë të tjera, sidomos për temat që kanë të bëjnë me korrupsionin, kapjen e shtetit e ekstremizmin. Kur ajo hyri në këtë parti tha se do t’i shërbejë qytetarëve dhe do të qëndrojë zë kritik brenda PDK-së.
Pavarësisht kësaj, një pjesë e partive opozitare, shoqërisë civile dhe gazetarë lëshuan akuza në drejtim të Xharrës, duke përdorur edhe gjuhë fyese e të urrejtjes ndaj saj. Një pjesë e tyre reaguan edhe pasi Xharra u rrahë para banesës së saj.