Hetuesit, duke mos mundur të identifikojnë fajtorët, kanë shpallur një shpërblim prej 5000 eurosh për ata që ndihmojnë në kapjen e tyre
Vrasja e një shqiptari për hakmarrje që ishte bërë më 9 janar para një shkolle në Visselhövede vazhdon të preokupojë mediat gjermane. Autoritetet e hetimeve duke mos mundur të identifikojnë fajtorët, kanë shpallur një shpërblim prej 5000 eurosh për ata që ndihmojnë në kapjen e tyre.
Bëhet fjalë për dy persona që kishin zbritur nga një motoçikletë dhe kishin qëlluar me armë zjarri mbi shqiptarin 46 vjeçar, shkruan dpa.de. Sipas saj, hetuesit kishin zbuluar se personi tashmë i vrarë kishte qëndruar në burg në Shqipëri për një vrasje të kryer ndërsa familjarët e të vrarit ishin betuar për gjakmarrje.
Policia gjermane ka gjetur gjurmët ADN të autorëve të vrasjes.
Ndërkohë, hetimet rreth vrasjes së rëndë të kryer në Gjermani, kanë filluar edhe në Shqipëri, njoftojnë mediat gjermane.