Policia e Kosovës, konkretisht Policia e stacionit në Kaçanik, pasditen e djeshme në malet e fshatit Dubravë të Kaçanikut, ka gjetur sasi të drunjve që ishin prerë nga dy persona të njohur dhe recidivistë për Policinë.
Në njoftimin e PK-së, është bërë e ditur se personat e dyshuar ishin larguar nga vendi i ngjarjes dhe policia ka nisur kërkimin e tyre, ndërsa përgjatë rrugës ka ndaluar katër persona me automjete, që dyshohet se kishin shkuar për t’i dëmtuar malet e Parkut Kombëtar “Sharri”.
“Policia i ka marrë veprimet e nevojshme dhe ndaj tyre për dokumentacion të parregullt ka shqiptuar: një gjobë pa patentë shofer dhe tri gjoba pa regjistrim të automjeteve dhe u ka konfiskuar targat, ndërsa ka njoftuar edhe zyrtarët nga Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar (DAPK) “Sharri” të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe i kanë konfiskuar drunjtë, ndërsa janë konfiskuar edhe dy qerre, një motorsharrë, 2 sëpata dhe pajisje tjera për tërheqjen e drunjve”, thuhet në njoftim.