Policia hedh gaz lotsjellës ndaj protestuesve në Hong Kong

Prishtinë | 24 Maj 2020 | 19:34 | Nga Ekonomia Online

Policia në Hong Kong ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, që kundërshtonin planet e Kinës, për të miratuar një ligj të ri të sigurisë në këtë territor.

Mijëra protestues kanë marshuar nëpër qendrën e qytetit.

Policia tha se 120 persona janë arrestuar.

Më parë, 200 politikanë, nga e gjithë bota, lëshuan një deklaratë të përbashkët, duke kritikuar planin e Kinës.

Nënshkruesit e quajtën atë një “sulm gjithëpërfshirës ndaj autonomisë së qytetit, sundimit të ligjit dhe lirive themelore”.

Kina po kërkon të miratojë një ligj që do të ndalojë “tradhëtinë, shkëputjen dhe kryengritjen” në Hong Kong.

Udhëheqësja e Hong Kong-ut, Carrie Lam, ka premtuar mbështetje të plotë për ligjin e propozuar dhe tha se liritë e qytetit do të mbeten të pandryshuara.

Neni 23 i Ligjit Themelor, me të cilin qeveriset Hong Kongu, thotë se qyteti duhet të miratojë ligje të sigurisë kombëtare, për të ndaluar “tradhëtinë, shkëputjen dhe kryengritjen” kundër qeverisë kineze.

Por, ky nen nuk është zbatuar kurrë dhe ligjet nuk janë miratuar, për shkak të frikës se do të kufizonin të drejtat e banorëve të Hong Kongut, siç është liria e shprehjes.

Këto liri mbrohen nga një marrëveshje e bërë, para se Britania e Madhe t’ia dorëzonte Hong Kongun përsëri Kinës më 1997.

Shtetet e Bashkuara e kanë paralajmëruar Kinën të mos e miratojë legjislacionin e ri, duke thënë se një shkallë e lartë e autonomisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut, ishin kryesore për të ruajtur statusin e veçantë të territorit.

Të ngjashme