Policia holandeze ka arrestuar më shumë se 180 persona gjatë natës së tretë të trazirave rrugore në vend, me ç’rast grupe të zemëruara protestuesish ndezën zjarre, hodhën gurë dhe plaçkitën dyqane.
Dhuna ka shpërthyer në pakënaqësi ndaj vendimit për zbatimin e orës policore gjatë natës, me qëllim të frenimit të koronavirusit. Masa, e para e tillë që prej Luftës së Dytë Botërore, është zbatuar me rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë pas shpërthimit të valës së dytë të infektimeve si pasojë e përhapjes së variantit të ri të koronavirusit, të zbuluar në Britaninë e Madhe.
Pas dhunës së dy netëve më parë, forcat speciale të rendit janë thirrur për të reaguar në më shumë se 10 qytete.
Në kryeqytetin Amsterdam, grupe të rinjsh hodhën fishekzjarrë, thyen vitrinat e dyqaneve dhe sulmuan kamionët policorë.
Dhjetë policë janë lënduar në qytetin Roterdam, ku mbi 60 protestues janë arrestuar shkaku i plaçkitjeve dhe shkatërrimit të pronave publike.