Policia jep detaje për grabitjen me armë në bankë

Prishtinë | 28 Gus 2017 | 15:00 | Nga

Sot rreth orës 10:00, policia ka marrë informatën për një grabitje të armatosur, në filialin e një banke në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë Kosovë.

Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni policia me një intensitet të shtuar ka filluar ndërmarrjen e një varg  veprimesh operative dhe hetimore, për  të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin.
Mbështetur në informatat e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet, dyshohet se kjo grabitje është realizuar nga persona të cilët kanë qenë të maskuar dhe të armatosur.

Të dyshuarit pasi kanë grabitur një shumë të konsiderueshme parash, nën kërcënimin e armës (duke shtënë në ajër),  janë larguar nga vendi i ngjarjes. Për të konfirmuar shumën e parave të grabitura policia është duke punuar ngushtë me zyrtarë të bankës.

Deri tani policia ka arritur të sekuestroj një motor, që dyshohet se është përdorur prej të dyshuarve për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. I njëjti po ekzaminohet nga njësitet përkatëse.

“Drejtoria rajonale e policisë – Prishtinë ka në fokusin e përditshëm të punës së saj luftën kundër krimit , kapjen dhe arrestimin e të dyshuarve të akteve kriminale si dhe garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike, andaj ftojmë të gjithë qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me rastet kriminale, e veçanërisht për rastin e sipërshënuar të mbështesin policinë me informacionet e tyre për hetimin dhe zbulimin e akteve të tilla”, thuhet në komunikatën e policisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme