(E plotësuar) Policia e Kosovës sot ka zbatuar urdhrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për largimin e gjashtë familjeve nga banesat në lagjen “Dardania”, që sipas gjykatës i takojnë Ndërmarrjes Publike Banesore në Prishtinë.
Ndryshe nga java e kaluar, kur policia hasi në rezistencë të banorëve, sot aksioni kaloi më “gjatë”.
Ndërkohë, dy banorë janë arrestuar pasi kanë kanosur gjyqtarin e çështjes.
Policia kthehet në Dardani, vazhdon largimin e familjeve “uzurpuese”
Një javë pas aksionit që shkaktoi reagime dhe bujë në publik, Policia e Kosovës është kthyer në bllokun e banesave në lagjen Dardania dhe pritet të vazhdojë me aksionin për largimin e familjeve të tjera nga banesat që sipas gjykatës i takojnë Ndërmarrjes Publike Banesore në Prishtinë.
Largimi nga këto ndërtesa, po refuzohet nga banorët, të cilët të hënën e kaluar u përleshën me forcat e sigurisë. Pati të lënduar nga të dyja palët.
Policia asistoi në largimin e orendive nga gjashtë banesa, për aq sa kishte vendim të prerë nga Gjykata.
Por, banorët nuk kanë respektuar vendimin dhe janë kthyer nëpër banesa.
Sot dhe në ditët në vazhdim pritet që vendime të ngjashme të merren edhe për rastet e tjera.
Rreth 130 banesa janë në këtë bllok, i cili ishte ndërtuar në vitet 1990-të dhe ishte dedikuar për refugjatët serbë nga Bosnja. Pas përfundimit të luftës, në banesat ende të papërfunduar janë vendosur familje shqiptare.
Gjykata ka vendosur që banesat t’i lirohen Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), si pronare. Por, banorët thonë se nuk kanë ku tjetër të shkojnë. Ata kërkojnë një marrëveshje nga Komuna dhe NPB që t’ua shesë ato, me çmime dhe kushte të përballueshme, pasi që kanë investuar vetë.
Gjykata: Vendimi për largimin e banorëve u mor më 2008
Gjykata Themelore në Prishtinë ka sqaruar se aksioni në lagjen “Dardania” është në përputhje me aktgjykimin e plotfuqishëm të gjykatës në lidhje me lirimin e pronave të uzurpuara.
“Çështja për të cilën është vepruar dje, përkatësisht në datën 19.09.2016 në gjykata ka filluar të trajtohet që në vitin 2005. Gjykata ka kërkesë për ekzekutim të aktgjykimit të plotfuqishëm (në këtë rast aktgjykimi C.nr.2137/05) i cili ka formën e prerë që nga data 17.11.2008″, thuhet në një komunikatë për media të kësaj gjykate.
“Nga kjo rezulton se tani në vitin 2016 po ekzekutohet një vendim gjykata i plotfuqishëm që para 8 viteve”. Më tej, Gjykata thekson se të gjitha palët që i tangon ky vendim i plotfuqishëm kanë qenë në dijeni që nga viti 2008 se këto prona të uzurpuara duhet të lirohen.
“Për më tepër Gjykata Themelore në Prishtinë në procedurë të ekzekutimi të aktgjykimit të plotfuqishëm të gjykatës ka treguar maturi, dhe kujdes të posaçëm dhe çdo pretendim se ka qoftë edhe një shkelje të drejtave të palëve është absolutisht i pa bazë. Për qartësim, mosekzekutimi i vendimeve të plotfuqishme është vepër penale. Prandaj gjykata është duke vepruar në aplikim të dispozitave ligjore në fuqi. Dhe ky është obligim ligjor për gjykatën”, theksohej në njoftim.