Policia kthen ekipin serb të hendbollit në kufi, reagon Lista Serbe

Prishtinë | 14 Nën 2020 | 18:08 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka kthyer prapë në kufi një ekip të hendbollit që ishte nisur nga Serbia për në Kosovë.

Sportistët serbë kishin në plan të zhvillonin një ndeshje në Zubin Potok, por një gjë e tillë ndalohet me masat në fuqi në territorin e Republikës, njofton Klan Kosova.

Bajram Krasniqi, zëdhënës i Policisë së Kosovës, tha se kthimi i tyre u bë për dy arsye.

“Më 12.11.2020 në ora 15:20 në pikën kufitare Merdare (në hyrje RKS) ka ardhur një ekip i hendbollit për të zhvilluar ndeshje hendbolli në Zubin Potok. Duke u bazuar në masat anti COVID-19, është refuzuar hyrja e tyre në territorin e RKS-së”.

Ndërkaq, arsyeja e dytë është se lojërat ndërkombëtare me ekipe të vendeve tjera lejohen me leje të federatave përkatëse të sporteve nga Republika e Kosovës.

Por, për kthimin e serbëve të rinj ka reaguar Lista Serbe në Kosovë duke shtrembëruar arsyen e kthimit të tyre.

Kjo parti thotë se ata u kthyen me arsyen që sportistët përbëjnë “kërcënim për sigurinë politike dhe të brendshme” të Kosovës – ndryshe nga versioni zyrtar i policisë.

“Ndërsa e gjithë bota po lufton me pandeminë dhe pasojat që ajo ka në shëndetin, sektorin financiar, ekonomik dhe tërë jetën e qytetarëve, për disa në Prishtinë, përparësia është vendosja e barrierave për serbët dhe parandalimi i tyre nga një jetë normale”, thuhet në deklaratën e LS.

“E shohim një vendim absolutisht të papranueshëm për të parandaluar të rinjtë serbë që të luajnë ndeshje sportive dhe të garojnë me njëri-tjetrin. Nëse nuk është trishtuese, është qesharake, por të cilësosh një ndeshje sportive si një “kërcënim për sigurinë politike dhe të brendshme” është një marrëzi e paparë ndaj së cilës do të duhet të reagojnë përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë dhe Metohi, të cilët pretendojnë të jenë roje të të drejtave të njeriut dhe lirisë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme