Policia mbyll 16 lokale që dyshohen për trafikim me njerëz

Prishtinë | 16 Mar 2017 | 16:11 | Nga

Polica e Kosovës ka mbyllur 16 lokale në Prizren dhe Gjakovë në dyshimin për trafikim me qenie njerëzore.

Siç njofton Policia gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një plan operativ me qëllim të luftimit të të gjitha formave të trafikimit me qenie njerëzore. Sipas policisë ky aksion ka rezultuar me kontrollin e disa lokacioneve.

Plani operativ “MARSI 2017” është zhvilluar në dy qendra të Kosovës, në Prizren dhe Gjakovë.

Sipas policisë në Prizren janë kontrolluar gjithsej 15 lokale të cilat gjenden në hapësirat e objekteve biznesore tek tregu i gjelbër, ku janë hasur duke punuar gjithsej 17 punëtore femra (13 shtetase të Shqipërisë dhe 4 shtetase të Kosovës).

“Prej tyre dymbëdhjetë 12 lokale janë mbyllur me vendim të Inspektoratit Komunal të KK Prizren, për shkak të parregullsive që janë gjetur. Janë konfiskuar 2 dokumente të shtetaseve të Shqipërisë, të cilat dokumente do t’iu dorëzohen zyrtarëve të Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj”, thuhet në njoftimin e Policisë.

“Në stacion policor është shoqëruar një femër së bashku me një fëmijë 7 muajsh e cila është hasur duke punuar në njërin nga lokalet e kontrolluara. E njëjta është duke u intervistuar dhe në konsultim me prokurorin e shtetit do të vendoset për hapat e mëtutjeshëm”, thuhet në njoftim.

Ndërsa në Gjakovë, në mbështesje të inspektorëve të tregut, sanitar, të punës dhe të ATK-së, si dhe njësiteve tjera relevante policore, kanë  kontrolluar një lokal në të cilin janë legjitimuar gjithsej 4 femra (2 shtetase të Shqipërisë, 1 shtetase e Maqedonisë dhe 1 shtetase e Kosovës). Dy punëtoret shtetase të Shqipërisë pas intervistimit pritet ti dorëzohen Njësitit për Migrim dhe të Huaj për të vazhduar me procedura të mëtejme.

Në mungesë të dokumentacionit lokali është mbyllur nga inspektorët komunalë në Gjakovë, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme