Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë, me qëllim të vetëdijesimit dhe parandalimit, ka filluar me implementimin e projektit ‘Dhuna në familje’.
Sipas policisë, gjatë muajit tetor po mbahen ligjërata me nxënës të shkollave fillore me temën ‘Dhuna në familje’, ku kryesisht janë përfshirë nxënës të klasave të nënta.
“Gjatë kësaj kohe ligjëratat i kanë dëgjuar rreth 460 nxënës të 14 shkollave të ndryshme në rajonin e Mitrovicës. Këto ligjërata janë mbajtur nga zyrtarë policorë të fushës përkatëse, ku nxënësve u është ligjëruar për dhunën në familje si dukuri mjaft specifike nga fakti se ndodh brenda familjes, andaj është e domosdoshme të trajtohet në mënyrë të veçantë dhe me profesionalizëm nga të gjithë. Masat dhe përkushtimi i vazhdueshëm që po ndërmerr Policia me mekanizmat tjerë institucionalë në parandalimin e dukurisë së rasteve me elemente të dhunës në familje reflektojnë seriozitetin dhe qasjen aktive në lëmin e parandalimit”, thuhet në njoftim.