Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në funksion të ruajtjes dhe garantimit të sigurisë së përgjithshme të qytetarëve më 31 dhjetor, natën e Vitit të Ri.
Nga zyra për media e Policisë së Kosovës kanë bërë të ditur se tashmë kanë marrë masat e duhura të sigurisë në pikat kufitare dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
“Departamenti për Operacione i Policisë ka hartuar një Urdhër të veçantë operativ i cili parasheh: Mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në tërë territorin e RKS-së, Shtimin e masave të sigurisë, Rritjen e vigjilencës dhe prezencës policore nëpër ambiente të ndryshme ku mund të ketë aktivitete festive, si dhe menaxhimin e trafikut rrugor. Gjithashtu janë ndërmarr masa të duhura të sigurisë në Pikat Kufitare dhe në Aeroport, marr për bazë fluksin e madh dhe lëvizjen e shtuar të bashkatdhetarëve”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Tutje, Policia ka shtuar se “referuar situatës aktuale nga Pandemia COVID-19, masat dhe kufizimet e përcaktuara për parandalim të përhapjes së virusit, planifikimet policore janë bashkërenduar me autoritetet tjera vendimmarrëse shtetërore për menaxhimin e pandemisë.
“Ruajtja e shëndetit të qytetarëve tanë në këtë fazë është prioritet për ne, prandaj kërkohet kujdes nga të gjithë në zbatimin e masave dhe kufizimeve siç parashihen me vendime të autoriteteve kompetente shëndetësore, në mënyre që të parandalohet përhapja e mëtejme e virusit.
Urdhri operativ i Policisë është shpërndare nëpër të gjitha rajonet/stacionet policore dhe ka për qëllim; Parandalimin, luftimin e dukurive negative dhe akteve kriminale të mundshme që në çfarëdo mase rrezikojnë qetësinë dhe stabilitetin në vend, garantimin e lëvizjes së lirë për të gjithë qytetarët, ruajtjen e jetës së qytetarëve dhe pasurisë private, si dhe atë shtetërore”, vijon përgjigja e Policisë, shkruan Telegrafi.
Policia e Kosovës bën më tej të ditur se do të jetë aktive në zbatimin e planeve konkrete operacionale aty ku prezenca policorë vlerësohet e nevojshme.
“Policia monitoron gjendjen e sigurisë dhe njëkohësisht kërkon nga të gjithë qytetarët që të jenë vigjilent dhe të kujdesshëm që të shmangin veprime të cilat mund të rrezikojnë sigurinë e tyre dhe sigurinë e të tjerëve në përgjithësi si dhe të përmbahen nga përdorimi i paautorizuar i armëve dhe i mjeteve të rrezikshme piroteknike.
Zbatimi i ligjit dhe siguria e qytetarëve nuk ka alternativ, prandaj masa ligjore do të ndërmerren ndaj të gjithë atyre individëve kryej veprime të kundërligjshme dhe që mund të cenojnë sigurinë qytetare”, thekson Policia.