Policia e Kosovës ka publikuar dokumentin strategjik “Vlerësimi i kërcënimit nga krimet e rënda dhe krimi i organizuar”.
Në këtë dokument, që hartohet sipas metodologjisë së Europolit, janë identifikuar edhe përdoruesit e drogës. Janë 15 mijë deri në 30 mijë përdorues, ose 1.6% e popullatës. Mosha më e atakuar është ajo 18-vjeçare dhe këtë e bëjnë më shumë nga kureshtja, u tha në konferencën e shtypit.
Riza Shillova, drejtor i Departamentit të Hetimeve në PK, i cili është edhe ndër hartuesit e këtij raporti, tha se raport identifikon kërcënimet serioze për sigurinë e vendit siç janë luftimi i krimit të organizuar, ekstremizmit dhe terrorizmi.
“Raporti, po ashtu, ka si qëllim luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, kontrabandë të mallrave, kontrabandimin me migrantë si dhe krimet kibernetike”, tha Shillova, në konferencën me gazetarë.
Hartimi i dokumentit është përkrahur nga misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Qeveria Zvicerane. Dokumenti është hartuar sipas metodologjisë së SOCTA-s (Serious Organized Crime Threat Assesment), të cilën e përdor edhe Europoli; përmban analiza katërvjeçare, ndërsa vlerësim përfshinë periudhën kohore dyvjeçare 2014-2015 duke e krahasuar me të dhënat paraprake të viteve 2012-2013.
Trafikimi dhe numri i madh i përdoruesve të narkotikëve është një ndër shqetësimet kryesore për Policinë e Kosovës.
“Janë 15 mijë deri në 30 mijë përdorues, ose 1.6% e popullatës ku mosha më e atakuar është ajo 18 vjeçare dhe këtë e bëjnë më shumë nga kureshtja”, tha drejtori Shillova, raporton Ekonomia Online.
“Me këtë raport kemi arritur të identifikojmë disa kërcënime serioze siç janë: luftimi i krimit të organizuar, terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm. Format kryesore të krimit janë trafikimi me njerëz me narkotik, migrimi ilegal, kontrabandimi me mallra, terrorizmi, radikalizmi”, theksoi ai.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, e vlerësoi të rëndësishëm këtë raport, pasi përmes tij paraqiten vlerësimet e kërcënimit nga krimet e rënda dhe krimi i organizuar. “Ky raport kontribuon në parandalimin e krimit të organizuar”.
Ai tha se do të bashkëpunojnë dhe analizojnë raportin edhe me policitë e vendeve të rajonit. “Policia e Kosovës, së bashku me Policinë e shtetit shqiptar do të dalin me konkluzione për rëndësinë se sa jemi të rrezikuar nga kërcënimi nga krimet e rënda dhe krimi i organizuar. Në do të bashkëpunojmë me vendet në rajon për këtë gjë dhe ky raport do të ndihmojë mjaft shumë”, tha Maxhuni.
Ake Roghe, drejtor i Departamentit për Rend dhe Siguri Publike në OSBE, tha se krimi i organizuar dhe krimet serioze po bëhen gjithnjë e më të vështira. “Projekti do të ndihmojë që të luftohet sa më shumë ky lloj krimi dhe kriminelët”, tha ai.